Thursday, August 27, 2009


LDD: KQZ-ja po i bën favore PDK-së


Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, në mbledhjen e mbajtur me përfaqësuesit e degëve të saj, ka shprehur indinjatën e thellë me vendimin e fundit të KQZ-së për të mos pasur kamera nëpër vendvotime, si dhe në dhomën e numërimit te votave.


“Kjo tregon qartë se KQZ-ja nuk po merr ne konsideratë vullnetin e shumicës së partive apo subjekteve politike të cilat ishin pro vendosjes së kamerave për të siguruar zgjedhjet fer në Kosovë. KQZ-ja në bazë të këtij vendimi ka demonstruar qartë se mund edhe të bëjë favore dikujt, siç është rasti i fundit ndaj PDK-së”, tuhet në reagimin e Kryesisë së LDD-së.

Për LDD-në arsyetimi se, për shkak të kostos financiare dhe kohës së shkurtër nuk mund të sigurohen kamerat – siç është thënë në këtë konferencë, “është qesharak dhe joserioz, si dhe garanton një kosto te lartë të këtyre zgjedhjeve të cilat rrezikohen te manipulohen”.

Po ashtu është thënë se, Lidhja Demokratike e Dardanisë është duke i bërë parapërgatitjet e saj për të hyrë në zgjedhjet lokale në të cilat është e bindur se do të dalë me rezultate pozitive, të cilat do të jenë surprizë për shumëkë, “sidomos për koalicionin qeverisës”.

Kryesia e LDD-së së shpejti do të fillojë edhe me nominimet e radhës për kryetar të komunave nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

No comments:

Post a Comment