Thursday, August 27, 2009


Dell i premton Krasniqit bashkëpunim të fuqishëm


Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e ri të SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, nga i cili ka marrë garanci se Kuvendi do të ketë mbështetjen e tij, për një bashkëpunimi të fuqishëm e të hapur.


Duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Dell, Krasniqi vuri në dukje se edhe me paraardhësen e tij, Tina Kaidanow ka pasur vazhdimisht një bashkëpunim dhe mbështetje për të gjitha proceset në Kosovë.

Në këtë frymë kryeparlamentari Krasniqi shprehu edhe falënderimet e tij ndaj shtetit amerikan dhe popullit të tij për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës.

Në vijim Krasniqi bëri një ekspoze për punën e Parlamentit të Kosovës, në periudhën që nga pavarësia e deri tash, duke theksuar disa nga rezultatet më të rëndësishme siç janë: aprovimi i Kushtetutës së Kosovës,aprovimi e zbatimi i ligjeve, sidomos të atyre që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit, e të cilat kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së komunitetit serb dhe të komuniteteve tjera, ruajtjen e trashëgimisë kulturore etj.

Ambasadori Dell ndërkaq, siç thuhet në komunikatën e Kuvendit, ka siguruar Krasniqin se edhe në të ardhmen Kuvendi i Kosovës do të ketë mbështetjen e tij, për një bashkëpunimi të fuqishëm e të hapur.

Ky bashkëpunim, siç tha Dell, do të përqendrohet sidomos në pesë objektiva: Forcimi i institucioneve të Kosovës, Kosova të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj, fuqizimi i bazës ekonomike, ndërtimi i pushtetit ligjor, si dhe integrimi i Kosovës në mekanizmat euroatlantike .

No comments:

Post a Comment