Thursday, August 27, 2009


Sejdiu e Thaçi ta thonë të vërtetën


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së Prishtinë ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Policisë së Kosovës dhe udhëheqësve të institucioneve. Sipas këtij këshilli, Policia e Kosovës të martën ka treguar pafuqinë e saj dhe të prijësve të institucioneve të Kosovës dhe servilitetin ndaj misionit më të ri ndërkombëtar në Kosovë - EULEX.


“Të pafuqishëm për të mbrojtur shqiptarët e veriut të Mitrovicës, të cilët, derisa po i rindërtonin shtëpitë e shkatërruara nga serbët 10 vjet më parë, u sulmuan me granata dhe armë zjarri nga serbët e veriut të Kosovës, policët e Kosovës treguan muskujt ndaj aktivistëve të lëvizjes “Vetëvendosje”!”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Sipas reagimit dërguar medieve, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së akuzon liderët e vendit, kryetarin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, se “edhe kësaj radhe janë treguar shumë azhur për të dënuar veprimet e aktivistëve të “Vetëvendosjes”, të cilët kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës dhe kundër pazareve të EULEX-it, prapa shpinës së institucioneve të Kosovës”.

Mirëpo të njëjtit – thuhet në reagim - nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës as popullin tyre në veri të vendit, karshi ekstremistëve serbë, të cilët çdo ditë po tregojnë agresivitetin e tyre duke përdorur armët me qëllim të ndarjes së Kosovës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që menjëherë të lirojnë nga arresti aktivistët e “Vetëvendosjes”, kurse ndaj policëve që kanë ushtruar dhunë mbi ta të ndërmerren masa ndëshkuese.

“Është koha e fundit që Sejdiu e Thaçi të dalin publikisht dhe ta thonë të vërtetën, se nuk janë në gjendje të ushtrojnë funksionet e tyre, meqë janë vetëm instrument në duart e të dërguarve të Brukselit, Pieter Feith, Yves de Kermabon, Lamberto Zannier”, thuhet më tej në reagim.

“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së përkrah fuqishëm veprimet e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe do të jem përkrahës të tyre në veprimet e mëtejme në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës”, përfundon reagimi.

No comments:

Post a Comment